Policia e EULEX, ilustrim.
Specialja konfirmon se është duke kryer aksione në Kosovë me mbështetjen e EULEX-it
Zyra e Prokurorit të Specializuar e Gjykatës Speciale ka konfirmuar se është duke kryer aksione në Kosovë.
Sipas një komunikate për media, operacionet janë duke u kryer në kuadër të një procesi hetimor, që përqendrohet në veprën penale “kundër administrimit të drejtësisë”.
“Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.” – thuhet në njoftim.
Në anën tjetër, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), përmes një postimi në Facebook, tha se Gjykata Speciale ka arrestuar ish-kryetarin e Malishevës Isni Kilaj, ish-shefin e AKI-së Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun, vëllain e dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt, por sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.” – ka shkruar Klinaku në Facebook.