Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit i është vazhduar paraburgimi nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Speciale, Charles Smith.
Sipas vendimit të publikuar në faqen e gjykatës sot më 17 shkurt, Thaçit mes të tjerave i është vazhduar paraburgimi pasi ende ekziston rreziku që ai mund të pengojë mbarvajtjen e procesit në gjykatë.
Vendimin e plotë e gjeni KËTU.
Në vendim, thuhet se asnjëherë nuk mund të largohet plotësisht mundësia e arratisjes së Thaçit në rast se lirohet nga paraburgimi, por që nuk janë gjetur fakte që të konstatohet një gjë e tillë.
Tutje, është theksuar edhe mundësia e frikësimit të dëshmitarëve nga ish-presidenti i Kosovës, si arsye e vazhdimit të masës së paraburgimit.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga mbrojtja duke cituar se “… Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund të tregojë një “shembull konkret” të frikësimit apo ngacmimit të dëshmitarëve që mund t’i atribuohet personalisht z. Thaçi”.
Sot Kosova po feston përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Hashim Thaçi, 15 vite më parë kishte lexuar deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Më 29 prill të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje.
Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.