Specialja ia vazhdon paraburgimin Hashim Thaçit

Gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës Speciale e ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve, e cila po mbahet në Dhomat e Specializuara në Hagë, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka kërkuar seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet për mbajtjen në paraburgim të katër ish-eprorëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Lidhur me këtë, avokati Kehoe ka parashtruar mjaft kritika karshi Zyrës së Prokurorit të Specializuar sa i përket mospranimit të garancës së Policisë për lirimin me kusht të të akuzuarve për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Sipas avokatit, Prokuroria Speciale po “maskohet” duke përmendur konfidencialitetin se Policisë nuk mund t’i besohet lidhur me garancinë se katër të akuzuarit do të respektojnë kushtet e vendosura nga Gjykata.

Prandaj, për avokatin Kehoe rezervat e Prokurorisë mbi Policinë e Kosovës duhet të dëgjohen në debat publik.

“Kjo procedurë duhet të trajtohet në seancë të hapur, në debat të hapur këtu në Gjykatë në mënyrë që të dëgjojmë se cilat janë rezervat që ka Prokuroria mbi Policinë e Kosovës apo çdo entitet tjetër, prandaj ne kërkojmë seancë dëgjimore publike për të trajtuar arsyet përse këta zotërinjtë mbahen në burg ndërkohë që ka një vit që presin gjykimin, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të respektojnë kushtet e vendosura“, ka thënë ai.

Tutje avokati ka bërë të ditur se nga gjykatat e mëparshme janë liruar serbë dhe shqiptarë, por nga kjo Gjykatë jo.

Ai ka parashtruar pyetjen pse deri më tani asnjë shqiptar nga Kosova nuk është liruar nga kjo Gjykatë, më herët ka ndodhur.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po akuzohen se si drejtues të UÇK-së, gjatë luftës në Kosovë kanë kryer krime kundër njerëzimit.

Aktakuza pretendon se ndërmjet marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për këto akuza ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.