Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, Hagë

Specialja fton për intervistim edhe një ish-luftëtar të UÇK-së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka bërë të ditur se edhe një ish-pjesëtar  i UÇK-së është ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale.

Bëhet fjalë për ish-luftëtarin Skender Zhitia.

“Sapo mora lajmin që i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale është ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Skender Zhitia, një ish-luftëtar i zoti i UÇK-së, Skenderi si gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalë i pafajshëm dhe faqëbardh”, ka shkruar Gucati në Facebook.

Gjykata Speciale deri më tani ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe jo vetëm.

Gjykata Speciale u krijua në bazë të një ligji të miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës – nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës – për të gjykuar krimet e kryera nga anëtarët e UÇK-së gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998-1999.

Ndërkaq, pas qindra intervistimeve të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jo vetëm, Gjykata Speciale qershorin e këtij theu heshtjen duke njoftuar për ngritjen e një aktakuze për krime ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli – tash kryetar i PDK-së, si dhe  ndaj disa ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Njoftimi për këtë aktakuzë ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Kurse, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka dorëzuar një kërkesë në Kuvendin e Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

OVL e UÇK-së, po kërkon që përmes një amandamenti në këtë ligj, Specialja të hetojë të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë