Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Specialja aprovon kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për dokument shtesë në listën e provave

Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për të shtuar një dokument në listën e provave.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në gjykimin e së martës, trupi gjykues pranoi një provë nga mbrojtja e Kadri Veselit, megjithëse ajo u kundërshtua nga Prokuroria Speciale.

Gjithashtu, gjykatësi Charles Smith III  bëri të ditur se para se të vijojë me pyetjet nga mbrojtja për dëshmitarin e katërt me kodin 4748, do të diskutohet edhe një çështje tjetër, e cila do të trajtohet në një seancë private.

Gjykimi më tej vazhdoi të jetë i mbyllur për publikun.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka filluar më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të palëve dhe deri më tani janë dëgjuar katër dëshmitarë.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve përballet me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, duke përfshirë përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Ata gjithashtu akuzohen edhe me katër pretendime për krime lufte, përfshirë arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet janë kryer gjatë periudhës nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Rasportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.