Specializantët të enjten në protestë

Rreth 50 specializantë të mjekësisë kanë paralajmëruar protestë para Ministrisë së Shëndetësisë të enjten më 27 janar 2022. Ata po kërkojnë pagesën e kujdestarive.

Këshillimi i specializantëve sot ka mbajtur takimin e radhës në të cilin u dakorduan që të enjten në ora 10:00 do të protestojnë dhe për shkak të masave anti- COVID në protestë do të marrin pjesë vetëm 50 specializantë.

“Në protestë do të jenë prezentë të gjithë përfaqësuesit e klinikave të specializantëve me kolegët e tyre nga klinikat gjegjëse por pa e tejkaluar ne total numrin 50”, thuhet në komunikatën e Këshillimit të Specializantëve.

Tre ditë më parë specializantët janë njoftuar jo zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë se pagesat e dy kujdestarive do të paguhen në një ekstra kontratë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës përderisa theksohet se çështja e specializantëve me vetëfinancim nuk do të zgjidhet deri në gusht të këtij viti.

“Çështja e specializantëve me vetëfinancim nuk do të zgjidhet së paku deri në gusht të 2022”, thuhet në njoftimin e specializantëve.

Specializantët me vetëfinancim kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që të përfshihen në paga të rregullta.

Në korrik të vitit 2020 Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj hapi konkursin për shkollim specialistik në nivel vendi. Procesi i specializimit të mjekëve nuk ishte bërë për katër vite. Në atë konkurs kishin aplikuar mbi 1 mijë mjekë.

Ndarja e buxhetit për specializantët me vetëfinancim bëhet në kuadër të ndarjeve të subvencioneve por jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e specializantëve me vetëfinancim është që të hynë në paga të rregullta, pra të ndahet buxhet i veçantë për ta.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com thonë se për subvencionimin e specializantëve me vetëfinancim kanë ndarë 2,8 milionë euro.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtatë spitalet rajonale në vend janë 661 mjekë specialistë.

Specializantët me vetëfinancim paralajmërojnë protestë pasi Qeveria nuk ndau buxhet për ta