Protesta e Specializantëve, 27 janar 2022 - Foto: KALLXO.com
Specializantët protestuan sërish para Ministrisë së Shëndetësisë
Mosplotësimi i kërkesave të specializantëve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë që sot të mbahet prapë protestë.
Para ndërtesës së MSh-së, përfaqësuesit e specializantëve nga të gjitha Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë shprehur pakënaqësitë e tyre.
Disa nga thirrjet e tyre kanë qenë: “1 vit për një çështje e cila mund të zgjidhet për 1 ditë!”, “Ndaleni ikjen e trurit’”, “Mos na largoni nga Kosova”, “Specializantët qe 1 vit në rrugë!”.
“Jemi të detyruar të protestojmë kështu rrugëve për te drejtat dhe kushtet tona elementare të jetesës të cilët nuk po plotësohen tash e një vit pothuajse”, ka thënë njëri nga organizatorët e protestës, Arianit Zaimi.
Tutje ai ka shtuar se institucionet janë duke e përdorur strategjinë e premtimeve në vend të strategjisë së veprimeve.
“Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se në fillim të janarit do të realizohen kërkesat tona, mirëpo nuk janë realizuar”, ka shtuar tutje Zaimi.
Sipas tij realizimi i këtyre kërkesave nuk po bëhet pasi mungon vullneti politik.
Tutje Zaimi ka thënë se janë nëntë specializantë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia të cilët kanë më shumë se gjysmë viti që nuk janë paguar.
“Janë nëntë specializantë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia të cilët nga momenti i nënshkrimit të kontratave nuk e kanë marr asnjë cent”, tha Zaimi.
I njëjti tha se protesta është planifikuar të jetë më e madhe, mirëpo janë respektuar masat anti COVID-19.
Pjesë e kësaj proteste ka qenë edhe Anila Zyberi, specializante nga Shqipëria.
Sipas saj, pjesë e QKUK-së janë katër specializantë nga Shqipëria, një nga Mali i Zi dhe katër nga Maqedonia e Veriut.
Zyberi tha se po ndjehen të diskriminuar pasi kanë shtatë muaj që nuk po paguhen as një cent.
“Bëjmë të njëjtën punë, angazhohemi çdo ditë si kolegët tanë, kemi nënshkruar të njëjtat kontrata […], kemi bërë kërkesa dhe ankesa drejtuar MSh-së, por qe katër muaj nuk kemi marr asnjë përgjigje zyrtare”, ka thënë ajo.
E njëjta shpreson që të gjendet zgjidhje dhe për këta nëntë specializantë.
“Subvencionet nuk janë zgjidhja e vetme, mirëpo ne do të ishim të kënaqur dhe me subvencione deri sa të hymë në paga të rregullta”, ka thënë ajo.
Më 17 dhjetor të vitit të kaluar specializantët janë takuar me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.
Gjatë këtij takimi specializantët kishin prezantuar kërkesat e tyre e për të cilat thanë se ministri ishte shprehur se janë “çështje lehtë të zgjidhshme dhe të vogla teknike”, duke potencuar se i duhet kohë pasi që sapo ka filluar mandatin.
Uran Halimi, njëri nga përfaqësuesit e specializantëve kishte thënë se Këshilli i specializantëve ka vendosur që të pezullojë protestën deri në janar të vitit këtij viti.
“Ne sot në mbledhjen e Këshillit të Specializantëve kemi vendosur që të pezullojmë protestat e deri kah mesi i janarit 2022 të presim. Më datën 12.01.2022 do të mblidhet Këshilli i Specializantëve dhe do të vlerësojmë rrjedhën e ngjarjeve”, kishte thënë asokohe Halimi për KALLXO.com.