Specializantët protestojnë, thonë se po kërcënohen e nuk po u paguhen kujdestaritë e fundjavave

Kërcënimet që po pretendojnë se po u bëhen dhe mospagesa e punës në kujdestari gjatë vikendeve, i ka mbledhur serish bashkë në një protestë dhjetëra specializantë para Administratës Qendrore të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Kërcënimet, sipas tyre, janë duke ju bërë nga nga zyrtarë të klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ata vijojnë specializimet në fusha të ndryshme të mjekësisë.

Specializantët, thanë se kërcënimet janë të tipit ndëshkuas me moskalim të provimit specialistik, nëse nuk i mbajnë orët shtesë për të cilat nuk po paguhen.

“Ka pasur kërcënime se do t’i dëmtojnë në provim specialistik nga disa klinika […]. Nëse do të vazhdojnë kërcënimet, atëherë ne do t’i bëjmë publike emrat e atyre personave të cilët po i kërcënojnë specializantët”, ka thënë Arianit Zajmi, përfaqësues i Këshillit të Specializantëve dhe specializant në Klinikën e Neurologjisë në QKUK.

Zajmi tha se është e drejtë që Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës të kërkojë me shumë se dy kujdestari nga specializantët, mirëpo nuk është i drejtë detyrimi që të mbahet kujdestari pa pagesë.

Doktor në specializim në Degën e Neurokirurgjisë, Sami Pnishi, tha se vendimi që është marrë që të mos paguhen orën e kujdestarisë duhet që tërhiqet dhe të vazhdohet siç ka qenë para dhe gjatë pandemisë, kur janë kompensuar financiarisht për angazhimin që kanë bërë.

Ai tha se nëse nuk merret ndonjë vendim i favorshëm për ta, atëherë do t’i vazhdojnë protestat edhe përballë Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas Ligjit të Punës, punëtorët që kryejnë punë më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë.

Madje, edhe Udhëzimi Administrativ për Shëndetësi thotë se specializantët duhet të mbajnë së paku dy kujdestari gjatë muajit për plotësimin e plan- programit të paraparë specialistik.

Qeveria ndan kosto për paga të specializantëve

Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti dje e ka mbajtur mbledhjen e 21, gjatë së cilës është diskutuar edhe për specializantët e rregullt, për të cilët janë ndarë 430 mijë euro për mbulim të kostove për muajin korrik 2021.

Në këtë mbledhje ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se janë pranuar specializantë më shumë se që ka qenë e nevojshme.

“Janë pranuar shumë më shumë specializantë se që ka qenë e buxhetuar në fillim të vitit. Këtë ndryshim e kemi reflektuar në rishikimin e buxhetit, mirëpo meqenëse tek sot është miratuar hyrja në fuqi e buxhetit, mund të marrë pak kohë”, tha Murati.

Protesta e specializantëve. FOTO:KALLXO.com
Protesta e specializantëve. FOTO:KALLXO.com