FOTO:KALLXO.com 29.07.2021

Specializantët me vetëfinancim: Vendimi i Qeverisë për vazhdim të subvencioneve nuk është zgjidhje

Kabineti qeveritar në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë sot kanë marrë vendim që t’u vazhdohen subvencionet specializantëve me vetëfinancim nga 1 janari deri më 31 gusht 2022.

Këtë vendim specializantët me vetëfinancim nuk po e mirëpresin, duke konsideruar se ai nuk është zgjidhje.

Pas vendimit të Qeverisë, Këshilli i Specializantëve ka mbajtur takim për të diskutuar rreth kërkesave që i kanë bërë tash e disa muaj, përderisa kanë potencuar se vendimi për vazhdim të subvencioneve nuk është zgjidhje për ta.

“Vendimi i sotëm i qeverisë nuk paraqet as zgjidhje dhe as nuk është diçka e re për ne e mbi të gjitha bie ndesh me kërkesën tonë”, thuhet në komunikatën e kryesisë së specializantëve të Kosovës.

Takimi i radhës i Këshillit të Specializantëve pritet të mbahet më 21 janar 2022. Ata paralajmërojnë protesta në rast se nuk përfillen këkesat e tyre për përfshirje në paga të rregullta dhe në paga për kujdestari.

Specializantët edhe më parë kanë protestuar në lidhje me pakënaqësitë e tyre për mospërfshirje në paga të rregullta dhe në kujdestari.

Në korrik të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemajn hapi konkursin për shkollim specialistik në nivel vendi. Procesi i specializimit të mjekëve nuk ishte bërë për katër vite. Në atë konkurs kishin aplikuar mbi 1 mijë mjekë.

Ndarja e buxhetit për specializantët me vetëfinancim bëhet në kuadër të ndarjeve të subvencioneve por jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e specializantëve me vetëfinancim është që të hynë në paga të rregullta, pra të ndahet buxhet i veçantë për ta.