Spanjollët alarmohen për stuhi të reja shiu
Spanjollët janë përgatitur për reshje të dendura shiu dhe stuhi të fuqishme dy javë pasi shiu dhe vërshimet nxitën daljen e lumenjve nga shtretërit për ta përmbytur Valinencian dhe rajonet tjera përreth në Spanjë, duke i lënë të vdekur më shumë se 200 persona dhe shkatërruar shtëpi dhe prona.
Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar më 13.11.2024 se agjencia për parashikimin e motit, AEMET, ka aktivizuar të mërkurën alarmin e kuq në mëngjes për rajonin e Tarragonas lindore dhe Malagas jugore, duke theksuar se do të ketë reshje shiu prej 180 milimetrash për metër katror brenda 12 orëve të ardhshme, duke nxitur frikën se mund të ketë dalje të lumenjve nga shtretërit dhe përmbytje të këtyre dy provincave.
Alami portokalli është aktivizuar për të enjten për Granadën dhe rajonin bregdetar të Valencias, nga Denia deri në Sagunto, ku ndërmjet 40 dhe 120 milimetra shi pritet të bjerë.
Erëra të fuqishme prej 119 kilometrash në orë dhe ngritje të nivelit të deteve priten në rajonin e Tarragonas, Barcelonës dhe Murcias.
Shërbimet emergjente në Malaga i kanë zhvendosur mbi tre mijë persona nga shtëpitë e tyre nga frika e rrezikut për vërshime afër Lumit Guadalhorce në perëndim të qytetit, dhe në rajone tjera qytetarëve u është kërkuar që të rrijnë në vendbanime më të larta.
Mësimi është ndërprerë në shkolla në Malaga, Valencia dhe në disa komuna të Katalonjës. Janë ndërprerë edhe dy linja të metrosë në Malaga, bashkë me tri autostrada që rrezikojnë të përmbyten.
Ministria spanjolle e Punës dhe sindikatat kanë thënë se punëtorët nuk e kanë obligim ligjor të dalin në punë nëse mendojnë se kushtet e motit nuk janë të sigurta për ta.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com