Ilustrim

Spanjë, të paktën 30 të lënduar nga rënia e një lifti të skive

Të paktën 30 persona raportohet se janë lënduar pasi një lift i skive u shemb në veri të Spanjës.

“Resorti Astun” në Pirinejet spanjolle, ku ndodhi incidenti, u mbyll pasi shërbimet e shpëtimit shkuan në vendngjarje, raporton BBC.

Imazhet dhe videot që qarkulluan në mediat sociale treguan një numër njerëzish të shtrirë në dëborë nën liftin e skive.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, tha se ishte “i tronditur” nga lajmi i incidentit.

Sipas mediave, një rrotë në njërin skaj të liftit u shkëput dhe një pjesë e strukturës që e mbante atë u shemb, duke shkaktuar humbjen e tensionit të kabllos dhe rënien e disa ulëseve.

17 persona kishin nevojë për kujdes mjekësor, raportuan mediat lokale.

Ambulancat dhe helikopterët dërguan në spital disa nga të plagosurit, ndërsa dhjetra njerëz që mbeten të varur në liftin e lartë 15 metra, janë shpëtuar.

Jaime Pelegri, i cili ishte në lift, tha për BBC se një kabllo humbi tensionin përpara se karriget në anën e tij të binin.

“Ishte shumë e frikshme, por shumë e shpejtë” –  tha ai, duke shtuar se ambulancat dhe helikopterët mbërritën në vendngjarje brenda 15 minutash.

Miguel Angel Clavero, drejtori i emergjencave për rajonin e Aragonit, ku ndodhi incidenti, tha për TVE: “Po flasim për rreth 30 deri në 35 persona të plagosur, duke përfshirë lëndime të rënda, shumë të rënda dhe më pak të rënda. Me sa duket, ka pasur një defekt në rrotullën e kthimit të njërit prej karrigeve dhe kjo ka bërë që kablli të humbasë tensionin, duke bërë që disa karrige të bien dhe të tjera të mbeten të varura” – tha ai.

Presidenti rajonal Jorge Azcon dhe ministri i Brendshëm i Spanjës, Roberto Bermudez de Castro shkuan në vendngjarje.

“Të gjitha shërbimet e nevojshme të [qeverisë] po punojnë për të ndihmuar njerëzit e prekur dhe të plagosur”- shkroi Azcon në “X”.

Kryeministri Pedro Sanchez tha se ai kishte folur me Azcon për të ofruar “mbështetjen e plotë” të qeverisë.

Po ashtu, është ngritur një linjë telefonike për familjet e të prekurve.

Vendpushimi Astún, i cili është i njohur për skiatorët, ndodhet në rajonin e Aragonit të maleve të Pirenejve, afër kufirit me Francën.