Spanjë, 10 ditë zi kombëtare për viktimat e COVID-19

Qeveria spanjolle ka dekretuar sot zi kombëtare 10-ditore duke nisur nga nesër, e mërkurë, në kujtim të viktimave të coronavirusit të ri, i cili ka shkaktuar vdekjen e mbi 27 mijë personave në vend.

“Zija kombëtare në kujtim të viktimave të COVID-19 fillon nesër në vendin tonë”, ka njoftuar kryeministri Pedro Sanchez në llogarinë e tij në Twitter, raporton AFP.

Shefi i Qeverisë tha se kjo zi kombëtare 10-ditore do të jetë “më e gjata” në Spanjë që nga përfundimi i diktaturës së Francisco Francos.

Për ta marrë këtë vendim, Qeveria e tij ka pritur që Madridi dhe Barcelona, dy qytetet më të mëdha të Spanjës dhe më të goditurat nga pandemia, të fillojnë të hënën procesin e hapjes, raporton AFP.

Me 27,117 të vdekur dhe mbi 236 mijë të infektuar, Spanja është një prej vendeve më të goditura nga pandemia në Europë.