
Foto e publikuar nga Ariana Musliu-Shoshi në Facebook.
Spanja sërish pengesë për Kosovën në Këshillin e Europës
Anëtarja e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Këshillin e Europës, Ariana Musliu-Shoshi ka deklaruar se në fillim të takimit të Komitetit për Punë të Jashtme dhe Demokraci, me kërkesë të kryetarit të Grupit të Partisë Popullore Europiane, spanjollit Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e Kërkesës së Kosovës nga Rendi i ditës.
Kjo parti kishte votuar edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Musliu-Shoshi është shprehur se ky ka qenë një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi. Kërkesa e Kosovës ka qenë që t’i jepet statusi i mysafirit special, e cila në agjendën fillestare të mbledhjes së Komitetit në Paris ka qenë e paraparë që të trajtohet.
“Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare.” – ka shkruar Musliu-Shoshi në Facebook.
Pos Musliu-Shoshit, në Paris kanë qenë edhe Besnik Tahiri dhe Enis Kervan.
Se kërkesa e Kosovës është larguar nga Rendi i ditës ka bërë të ditur vetë Këshilli i Europës në një përgjigje për KALLXO.com. Në një përgjigje të shkurtër, Këshilli e ka dërguar agjendën e re në të cilën shihet se është hequr Kërkesa e Kosovës. Më parë, ajo ishte, në bazë të agjendës që është dërguar më 28.02.2025.
Mysafiri special ka kompetenca, por deri diku ato janë të kufizuara.
Sipas Rregullores së Asamblesë Parlamentare, Byroja mund t’u japë statusin e mysafirit special Parlamenteve kombëtare të shteteve europiane joanëtare që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës.
Çdo kërkesë zyrtare për statusin e të ftuarit special – sipas Rregullores – i drejtohet Kryetarit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetari i Parlamentit përkatës.
Nëse Byroja, pasi të jetë konsultuar me Komisionin për Çështjet Politike dhe Demokracinë, miraton një Kërkesë të tillë, Kryetari i Asamblesë Parlamentare e fton Parlamentin përkatës të marrë statusin e mysafirit special.
Numri i anëtarëve të një delegacioni të ftuar special, i cili nuk duhet të kalojë tetëmbëdhjetë, do të jetë i njëjtë (pa zëvendësues). Ky numër caktohet nga Byroja, me propozim të Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci.
Anëtarët e delegacioneve të ftuar special mund të ulen në Asamble, por pa të drejtë vote. Ata kanë të drejtë të flasin me autorizimin e Kryetarit të Kuvendit.
Në mbledhjet e Komitetit, ata mund t’i paraqesin Kryetarit të Komitetit propozime në lidhje me projekt-Rendin e ditës të mbledhjeve të Komisionit dhe propozime për Amendamente në draft-tekstet e shqyrtuara në këto mbledhje. Kryetari i Komisionit vendos për çdo veprim të mëtejshëm. Ata mund të nënshkruajnë mocione për Rezoluta e Rekomandime dhe deklarata me shkrim. Megjithatë, ato nuk do të merren parasysh për numrin e nënshkrimeve të kërkuara.
Anëtarët e delegacioneve të ftuara të posaçme mund të marrin pjesë në punën e grupeve politike – sipas kushteve të vendosura nga grupet.
Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci ose së paku njëzet anëtarë mund t’i kërkojnë Presidentit pezullimin ose tërheqjen e statusit të mysafirit special. Presidenti do të informojë menjëherë Byronë për çdo Kërkesë të tillë. Nëse Kërkesa nuk është bërë nga Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci, Presidenti kërkon menjëherë mendimin e atij Komisioni, i cili ia përcjell më pas Byrosë.
Anëtarët e Byrosë do të informohen për shqyrtimin e një çështjeje të tillë të paktën dy javë përpara mbledhjes së Byrosë. Vendimi i Byrosë merret me shumicë prej dy të tretave.
Kur statusi i mysafirit special është tërhequr, Parlamenti në fjalë do të bëjë një Kërkesë tjetër zyrtare – nëse dëshiron ta marrë sërish këtë status. Pezullimi i statusit të të ftuarit special mund të hiqet nga Byroja, duke vendosur me dy të tretat e shumicës – nëse konsideron se kushtet që kanë çuar në pezullimin nuk ekzistojnë më.
Rruga e Kosovës drejt Këshillit të Europës
Qeveria e Kosovës në shkurt të vitit të kaluar kishte marrë Vendim që të zbatojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit – që ishte kusht për anëtarësim.
Pas këtij Vendimi, vendi mori dy drita të gjelbra, e në të tretën u kurthua. Ishte Kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ajo që e la Kosovën jashtë agjendës. Disa shtete anëtare kërkuan dorëzimin e projekt-statutit për themelimin e Asociacionit – si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim.
Mosdërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të hartuar nga Bashkimi Europian, ishte arsyeja që la Kosovën jashtë agjendës së mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, më 17.05.2024.
Zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës vazhdojnë të deklarojnë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, në fund të tetorit të vitit të kaluar, ishte takuar në Këshillin e Europës në Strasburg me sekretarin e përgjithshëm, Alain Berset.
“Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe presim me padurim të ecim përpara drejt anëtarësimit të plotë; e qytetarët tanë të përfitojnë nga mekanizmat mbrojtës të Këshillit të Evropës.” – ka thënë Gërvalla gjatë takimit me Berset.
Më 16.05, 2024, ministrja Gërvalla kishte dërguar një letër në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për, siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”. Ky veprim ngriti pikëpyetje nëse ka qenë i duhur, apo i gabuar.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo Kërkesë sipas tij “nuk është parimore e as vlerore”, por është absurde.
Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.
Presidentja Vjosa Osmani është shprehur e bindur se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e Këshillit të Europës. Kjo, sipas saj, është thjesht çështje kohe.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë. Pasi të arrijmë aty, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcakton Këshilli i Europës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë, apo si model i sjelljes autokratike.” – kishte thënë ajo.
Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar, më 16.04.2024, në Asamblenë Parlamentare.
Këta delegatë kanë miratuar Raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KiE.
Nga 171 delegatët të cilët morën pjesë në votim: 131 votuan për, 29 kundër dhe 11 abstenuan.
Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla.