Spanca thotë se AKP lidhi kontrata të qerasë me uzurpatorët e pronave shoqërore

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere është duke u diskutuar Raporti i Auditimit për të hyrat nga qeraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Vlora Spanca, auditore e përgjithshme, tha se bëhet fjalë për periudhën 2012-2021.

Spanca tha se AKP ka dështuar të ruaj dhe rris vlerën e pronave dhe aseteve të dhëna me qera.

“41 mostra kanë rezultu me parregullsi. Kjo vlerë është nxjerr duke i krahasu vetëm kontratat e vet agjencisë”- tha ajo.

Spanca ka përmendur se procesi nuk është zhvillu në përputhje me qëllimin e Agjencisë.

Sipas saj Agjencia ka lidhur kontrata me uzurpuesit dhe shfrytëzuesit e paligjshëm.

“Besoj që agjencia do t`i jap edhe sqarimet. Veprimet e tilla i kanë stimulu subjektet afariste t`i uzurpojnë pronat e pastaj të hyjnë në një çmim”- shtoi ajo.

Spanca shtoi se Agjencia nuk kishte menaxhim të pronave që ishin nën administrim të saj.

Sipas auditores Spanca në disa raste vazhdimi i kontratave ishte bërë pa i shlyer në tërësi obligimet financiare.

“Agjencia nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për t`i menaxhuar pronat”- theksoi ajo.

Kryetari i Komisionit Armend Muja iu është drejtuar bordit të AKP-së duke thënë se çmimi i qerasë në vitin 2022 ka ra krahasuar me vitin 2019.

Muja ka thënë se nuk zbatohet tenderimi publik.

Syzana Dautaj, zv/kryesuese e bordit të AKP-së tha se ka pas tenderim publik të qerave.

Ajo tha se në janar janë dhënë disa prona me qera tenderuese.

“100 prona janë qitur në qera me tender publik”- Dautaj.

Ferat Shala anëtar i Komisionit ka kërkuar nga Spanca të dijë se a kanë pas bazë ligjore kur e kanë kry këtë auditim.

Shala ka pyetur edhe a janë auditu të hyrat nga qeratë.

Auditorja e përgjithshme Vlora Spanca tha se: “Kushtetuta ja ka dhënë mandatin e plotë Auditorit që ta monitoroj paranë publike. Auditori është i mandatuar nga Kuvendi, Auditori ka të drejtë të vendos çfarëdo lloj auditimi. Ne kemi kry auditime dhe parësore është Kushtetuta”.

Spanca tha se i kanë audituar edhe të hyrat nga qeraja.

Arben Limani drejtor menaxhues i AKP-së tha se nuk janë të kënaqur me mekanizmat e kontrollit të qerave.

Sipas tij mungon një mekanizëm më preciz, por sipas tij në masë të konsiderueshme kontrolli i qeras ekziston.

“Ndonjë neglizhencë mundet me ndodh”- shtoi ai.

Përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) janë duke raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të hyrat nga qeraja.