Spanca flet për performancën e Zyrës Kombëtare për vitin 2021

Zyra Kombëtare e Auditimit deri në fund të vitit 2021, ka përfunduar dhe publikuar 131 raporte të auditimit apo 4 auditime më shumë se në vitin paraprak.

Këtë e ka vërë të ditur Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme, gjatë raportimit në Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku tha se sezoni i raporteve të auditimit ka filluar në shtator të vitit 2020 dhe ka përfunduar në gusht 2021.

“Fokusi i auditimit ishte zhvillimi ekonomik, shëndetësia, mirëqenia sociale, mjedisi, siguria, teknologjia e informacionit, fusha e prokurimit publik”, tha ajo.

Spanca tha se pas marrjes së mandatit të saj për herë të parë kanë fillu me auditimin e informatave të klasifikuara me ligj.

Ajo shtoi se auditimet kanë rezultuar me numër të madh të rekomandimeve për përmirësimin e menaxhimit të financave publike si dhe shfrytëzimin e fondeve me efikasitet dhe efektivitet.

“Për të rrit përgjegjshmërinë kemi dërguar 52 raste në prokurori për vepër penale me mashtrim e korrupsion”, tha ajo.

Spanca shtoi sei gjatë vitit 2021 buxheti i zyrës ishte mbi 2,791,389 euro.

Shuma më e madhe e buxhetit sipas Spancës shpenzohet ne paga e mëditje.

“Zyra Kombëtare kishte shpenzime më të larta se buxheti i miratuar me ligj”, theksoi Spanca.

Gjatë raportimit të saj Spanca e ka adresuar te komisioni qiranë e objektit të kësaj zyre.

“Qiraja e objektit vazhdon ta tërheq vëmendjen më të madhe te shpenzimeve. Kjo përbën shqetësim kur jemi në prag të 20 vjetorit të këtij institucioni… Zyra është mision qe ju raporton juve dhe kërkoj nga ju adresimin e kësaj çështje që kjo zyre të del nga objekti privat”, tha ajo.