Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në ambientet e SPAK-ut më 30 prill 2024. Foto: Jetmira Delia-Kaci, REL

SPAK: Arrest me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka njoftuar se ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është caktuar masa e sigurimit personal – arrest në burg.

Ndërsa, një urdhër arresti në shtëpi është lëshuar për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK bën me dije se Veliaj dyshohet për dy vepra penale – korrupsion pasiv, dhe – pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

Përveç tyre, pesë persona të tjerë dyshohen nga SPAK për korrupsion aktiv dhe janë lënë nën masën e detyrimit për t’u paraqitur në organet e drejtësisë.

“Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga shtetasit nën hetim, specifikisht E.V. (me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë) si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, A. X., është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme”- thuhet në njoftimin e SPAK.

Tutje SPAK ka thënë se në të paktën 10 raste krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar prova të mjaftueshme që krijojnë dyshime të arsyeshme për një skemë të organizuar korrupsioni.

Po ashtu, sipas SPAK, fondet publike që janë shpërndarë nga Bashkia e Tiranës kanë kaluar te bashkëshortja e Veliajt dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe shoqërive të kontrolluara nga ajo.

Hetimi zbuloi gjithashtu një sasi parash prej 95, 350 euro dhe 14,900 dollarësh të fshehura në një kasafortë të një shoqërie të administruar nga Ajola Xoxa.

Kjo ka çuar në caktimin e masave të sigurimit pasuror, duke përfshirë sekuestrimin e një vile dhe disa llogarive bankare në emër të kompanive të Ajola Xoxës, që përmbajnë më shumë se 869,000 euro.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është marrë nga zyra e tij dhe është dërguar në stacionin e Policisë së kryeqytetit të hënën më 10.02.2025.