Spahija: Politika ushtron ndikim mbi gjyqësorin dhe prokurorinë

Kosova vazhdon të jetë njëri prej vendeve më të korruptuara në Evropë. Në anën tjetër, në vend aktualisht janë vetëm 22 persona duke vuajtur dënimin për veprat e korrupsionit.

Sipas këshilltarit të lartë ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, Florent Spahija, lufta kundër korrupsionit nuk ndodh pasi politika ushtron ndikim mbi institucionet e drejtësisë.

“Shpjegohet më së miri me ndikimin që ushtron politika në sektorin e gjyqësisë edhe në prokurori, me numrin e vogël të gjyqtarëve dhe prokurorëve që luftojnë këtë dukuri por edhe me mungesën e profesionalizmit të gjyqtarëve, prokurorëve në çështjet e hetimit të rasteve të korrupsionit, mbledhjes së provave e në fund të fundit, na dëshmon edhe për një polici të dobët e cila na i prishë provat, pra edhe kur dihet që dikush ka kryer një vepër penale, mungesa e provave e bën atë të padënueshëm”, ka thënë Spahija në emisionin “Kallxo Pernime”.

Ai ka thënë se njëra prej hallkave ku dështon lufta kundër korrupsionit janë trupat e brendshme nëpër institucione të cilat e vlerësojnë përformancën e punonjësve.

“Trupat më të dobët, konsideroj unë, brenda institucioneve të Kosovës janë trupat që e vlerësojnë performancën, në ata trupa janë vendosur njerëz që ndoshta kanë integritet por janë persona të cilët nuk kanë pushtet ose nuk i është dhënë pushtet i mjaftueshëm nga ana e nivelit të lartë të institucionit”, ka vlerësuar ai.

“Ne si shoqëri civile kemi kërkuar në vazhdimësi kemi kërkuar Vetting-un sepse e kemi pa që trupat e brendshëm nuk janë duke funksionuar si duhet. Ki rast të korrupsionit i cili pas 600 ditëve ka fillu edhe pse aktakuza është dorëzuar, është rasti i mirënjohur “Stenda””, ka thënë Floret Spahija.