Spahija: Në KMShK për çdo muaj marrim ankesa me përmbajtje të dezinformimit

Këshilltari ligjor në Këshillin e Mediave të Shkruara, Florent Spahija, në emisionin “KALLXO Përnime” me temën “Dezinformatat në Drejtësi”, ka bërë të ditur se për cdo muaj marrin në Këshill ankesa me përmbajtje të dezinformatave.

Këto ankesa, sipas tij, vijnë nga qytetarë, bizneze apo palë të treta kundër mediave që kanë raportuar për ta- në portalet e tyre.

 “Vazhdimisht marrim (ankesa). S’ka muaj që nuk vjen një lëndë që nuk përmban ndonjë ankesë për dezinformatë” – thotë këshilltari ligjor.

Sipas Spahiajt, ka raste kur raportohet për raste të dhunës, të keqpërdorimeve ose vjedhjes, duke dhënë konstatime pa e përmendur fare faktin se personat e caktuar janë të dyshuar.

“Thuhet se i korruptuari ka vjedhur, është dhunes. Ka raste kur ka keqpërdorim, pa thënë që dyshohet se…”- tha Spahija.

I njëjti tha se ka raste kur raportohet se dikush është dënuar me burgim për vepër penale, por pa e specifikuar se i njëjti është dënuar vetëm nga shkalla e parë dhe se ka ende ka mundësi ligjore që ta atakoj atë vendim.

Raportimet pa u përmendur këto elemente, sipas tij, janë vetëm si karrem që ta mbajnë lexuesin pranë vetes.

Këshilltari ligjor tha se pranojnë ankesa prej gjykatave, për raste të dezinformimit, por jo nga gjyqtarët personalisht.

Spahija tha se ka pas raste kur një medium i caktuar ka intervistuar një familjar të ndonjë pale në procedurë, ka lëshuar video material i cili atakon gjykatën ose gjyqtarin speicifikisht, por ka munguar mundi i medias që të marrë një prononcim nga Gjykata ose nga gjyqtari në fjalë.

Sipas tij, vendimet të cilat i nxjerrë KMShK si organ vetërregullativ për mediat e shkruara, kanë rëndësi të madhe si provë në procedurat kur kemi padi për shpifje dhe fyerje.