Sot zgjedhjet në Serbi

Qytetarët e Serbisë do t’i drejtohen sot kutisë së votimit për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

Zgjedhjet në shtetit fqinj kanë nxitur reagime dhe protesta në Kosovë.

E gjitha kjo pasi ekzekutivi kosovar në krye me Albin Kurtin, ka këmbëngulur që Beogradi zyrtar t’i dërgojë një kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, gjë të cilën Serbia e ka parë si si presion për njohjen e Kosovës dhe ka refuzuar diçka të tillë.

Të revoltuar nga kjo, qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës protestuan në Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata që jetojnë në gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, kanë shkuar në mënyrë të organizuar në Graçanicë.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

Propozimi i Quint-it ishte që zyrtarët ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë të përdoren si kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, për të përcjellë kërkesat e Serbisë tek autoritetet kosovare.

Lidhur me dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës në Beograd, më 22 mars.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Më 25 mars, Kurti, i ka dërguar letër ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në të cilën ka shkruar se është për keqardhje që derisa Kosova punon me BE-në dhe vendet e Quint-it për të gjetur një zgjidhje të pranueshme ndërmjet dy qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të organizojnë zgjedhje në Kosovë sikur të mos ekzistonte Qeveria e saj.

Kjo letër vjen pasi zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.e

Në anën tjetër, më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje edhe vendimin e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në territorin e saj.