Rektorati

foto; Denis Sllovinja

Sot votohet për rektor të UP-së

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot do të votojë për zgjedhjen e rektorit të ri të këtij universiteti.

Këshilli Drejtues sot do të intervistojë në ora 10:00, tre kandidatët për këtë pozitë dhe më pas do të votojë për ta pa praninë e mediave.

Sipas vendimit që mban datën 10 gusht, mediave të shkruara dhe vizuale do tu lejohet vetëm marrja e pamjeve vizuale para fillimit të intervistimit të kandidatëve për rektor dhe më pas duhet ta lirojnë sallën.

Në garën për të parin e UP-së janë Naser Sahiti, Faton Berisha dhe Blerim Rexha. Kandidatë për këtë pozitë ka qenë edhe Zenun Halili, por se ai u largua nga gara për shkak se komisioni profesional për zgjedhjen e rektorit e kishte eliminuar nga gara me arsyetimin se ai mund të jetë në konflikt të interesit.

Një konstatim të tillë e kishte dhënë edhe Agjencia Kundër Korrupsion për rastin e tij.Kjo pasi që, Halili, para se të kandidonte, e kishte lënë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së. Arsyeja pse komisioni vlerësues e ka eliminuar nga kjo garë Halilin, ka qenë për shkak të kësaj pozite.

Komisioni ka theksuar se Ligji për Parandalimin e Konflikit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik tregon qartë për kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve, të cilin komision e formon Senati.

Konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik në ora 15:30. Sipas konkursit, të drejtë kandidimi për këtë pozitë kanë pasur kandidatët e brendshëm dhe të jashtëm.