Sot vazhdon dialogu në Bruksel

Sot dhe nesër delegacionet e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu në një prononcim të dhënë dje tha se në takim do të jetë pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës Besik Bislimi dhe se temat që do të zhvillohen janë ato për zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë, ajo e tabelave të veturave, si dhe çështja e të zhdukurve me forcë.

Në muajin qershor të këtij viti, në Bruksel kanë filluar takimet e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në takimin e 15 qershorit, Kurti kishte paraqitur katër propozime, por pala serbe nuk e ka pranuar asnjë prej tyre. Një prej propozimeve ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes paqësore mes këtyre dy vendeve, që të mos sulmojnë njëra-tjetrën.

Temat që do të zhvillohen për dy ditë në Bruksel mes delegacioneve Kosovë – Serbi