Sot u përurua shtatorja e Skënderbeut në Prizren

Shtatorja e Gjergj Kastriot – Skënderbeut sot është përuruar në Prizren, në ditën e flamurit shqiptar, 28 Nëntorit.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se realizimi i shtatores është bërë së bashku me shoqatën “Trojet e Arbërit”.

“Gjergj Kastrioti – Skënderbeu sot iu bashkua Prizrenit, kryeqytetit historik e shpirtëror të shqiptarëve! Në Ditën e Flamurit dhe përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e në ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, bëmë përurimin e shtatores së Skënderbeut, të cilën e realizuam së bashku me shoqatën “Trojet e Arbërit”. Nga sot në Prizren u bashkuan datat e na u bashkuan figurat historike! 108 vite më parë, Ismail Qemali kishte ngritur flamurin të përbashkuar, me një qëllim, për liri dhe pavarësi. Ai së bashku me shokë kishin ndjekur shembullin e Ymer Prizrenit e Abdyl Frashërit, të cilët i përbashkuan gjithë fiset shqiptare në Lidhjen e Prizrenit kundër copëtimit të trojeve shqiptare, e padyshim se shembull për ta ishte Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Skënderbe, simbol i lirisë e bashkimit kombëtar, mirë se erdhe në Prizren”, ka shkruar Haskuka.