Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo - Foto: REL/AFP

Sot takimi Vuçiq - Pompeo

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç do të takohet sot në Nju Jork me Sekretarin e Shtetit të SHBA Mike Pompeo – shkruan mediumi serb Blic.

Sipas këtij portali, Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se Sekretari i Shtetit do të presë Presidentin serb Vuçiq në drekë në orën 12.30 sipas kohës lokale.

Media serbe shkruajnë se Kosova do të jetë tema kryesore në takimi mes Vuçiqit dhe Pompeos, por edhe në takimet tjera që presidenti i Serbisë do të ketë gjatë qëndrimit në New York.

Sipas këtij mediumi, gjatë takimit më sekretarin e shtetit, Vuçiq do të kërkojë “mbrojtje për popullin serb në Kosovë”, por do të këmbëngulë, para së gjithash, që SHBA të ushtrojë presion tek autoritetet në Prishtinë për të hequr taksën 100 përqind për mallrat nga Serbia.

Ftesa e papritur e Pompeo drejt Vuçiç flet në favor të tezës se Amerika po zgjidh problemin e Kosovës dhe se dëshiron të luajë rolin kryesor në këtë proces.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, takimi i sotëm mund të sinjalizojë fillimin e një kthesë në politikën e Amerikës ndaj Beogradit dhe është një sinjal që Uashingtoni po merr në dorë iniciativën për zgjidhjen e nyjës së Kosovës, e cila shumë shpejt mund të rezultojë me heqjen e taksës dhe rifillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ky takim, i cili po ndodhë si rezultat i një diplomacie të drejtpërdrejtë mes Beogradit dhe Uashingtonit, vjen në një kohë kur nga SHBA  po vijnë mesazhe të shumta që thonë se konflikti i tejzgjatur me dekada duhet ta shohë fundin e tij, shkruan mediumi serb Blic.rs.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, sekretari Pompeo do të marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të KB në Nju Jork kushtuar debatit mbi sfidat për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe është planifikuar të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.