Foto: REL

Sot rivarrosen në Rezallë eshtrat e martirëve të gjetur në Serbi

Sot do të varrosen eshtrat e martirëve të masakrës së Rezallës të cilat u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari nëpërmes një postimi në Facebook.

Jashari ka njoftuar se varrimi do të bëhet me fillim nga ora 14:00.

“Të dashur qytetarë, familjarë të dëshmorëve e martirëve të Lirisë. Me datë, 09.10.2021, duke filluar nga ora 14:00, bashkë me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur do të organizojmë ceremoninë e rivarrimit të martirëve të masakrës së Rezallës, eshtrat e të cilëve janë gjetur dhe zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë. Lavdi martirëve të Rezallës dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të Lirisë!”, ka shkruar ai.

Javën e kaluar përmes pikës kufitare në Merdarë janë sjellë eshtrat e shtatë trupave dhe mbetje mortore të dy të tjerëve për ribashkim, të shqiptarëve që u vranë në masakrën e Rezallës.

Këto mbetje mortore janë gjetur në varrezën masive në Kizhevak.