Skafi në plazhin Potam ku mbeti e vdekur 7 vjeçarja, Foto: Esmeralda Keta/Facebook

Sot protestohet për vdekjen e 7-vjeçares në Himarë

Sot në orën 19:00 është paralajmëruar zhvillimi i një proteste për vdekjen e 7-vjeçares në Himarë.

Protesta do të mbahet para objektit të Ministrisë së Brendshme. Tubimi është njoftuar në rrjetet sociale, ndërkohë që dhe politikanë të opozitës kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë aktivitet.

Një vajzë 7-vjeçare humbi jetën mesditën e 2 gushtit në Himarë, teksa pushonte me familjen e saj. E mitura u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një gomone që drejtohej nga shtetasi Arjan Tase.

Arjan Tase, ish-shef i komisariatit të Himarës është arrestuar dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia.

Në dëshminë e tij, Tase ka sqaruar se gomonia të cilën e ngiste ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend e për pasojë ai ka humbur kontrollin.

Në këtë moment ka goditur vajzën 7-vjeçare e cila ka humbur jetën menjëherë./Euronews.al