Sot protestohet kundër dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, sot nga ora 12:00 pritet që të fillojë protesta kundër dhunimit të 11-vjeçares.

Në këtë protestë është thënë se do të kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Protesta vjen si rezultat i ngjarjes së rëndë që ndodhi më 27 gusht 2022, ku një vajzë 11-vjeçare dyshohet se u dhunua nga pesë persona, tre nga ta të mitur.

Lidhur me rastin, dje është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar, ndërsa katër persona të tjerë janë arrestuar gjatë tri ditëve të fundit.

Këtyre të fundit iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

11-vjeçarja dyshohet se derisa ishte duke ecur në një park në Prishtinë, fillimisht ishte ndaluar e më pas dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Protestë për këtë ngjarje pritet të ketë edhe në Tiranë dhe Shkup. Këto dy vende kanë vendosur që të solidarizohen me Prishtinën dhe ngjarjen e ndodhur.

Protesta në Tiran është paralajmëruar të fillojë nga ora 18:00, ndërsa ajo në Shkup nga ora 17:00.

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, nesër protestohet edhe në Tiranë