ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com
Sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Gani Gecit
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Gani Gecit, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në Skënderaj.
Sipas pas aktakuzës së Prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 prill 2016, Gani Geci akuzohet se me 4 gusht 2014 në Skënderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.
Aktakuza e Prokurorisë thotë se kjo kishte ardhur, si rezultat i një konflikti të mëhershëm të datës 19 tetor 2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.
I pandehuri sipas aktakuzës ishte duke dalë nga kafeteria dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri që ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas aktakuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.
Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të daljes nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin, i cili sipas aktakuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.
Aty kishte filluar sherri, kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gecit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.
Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast i pandehuri është ndjerë sipas aktakuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri dhe kishte nxjerrë revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.
Kujtojmë se më 3 qershor, Gjykata Themelore në Mitrovicë, kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet dhe 6 muaj burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Ndërsa Apeli më 26 shtator 2017, e kishte kthyer lëndën në rigjykim.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK