Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sot pritet të numërohen votat nga diaspora për kryetar të Dragashit

Mbrëmë në mesnatë ka përfunduar afati 15 ditor për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit dhe numërimi i tyre pritet të bëhet sot në ora 15:00 në Qendrën e Numërimit.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka njoftuar së numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është 381.

“Të hënën në mesnatë ka përfunduar afati 15 ditor për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është: 381. Numërimi i fletëvotimeve do të bëhet këtë të martë, në orën 15:00, në QNR”, ka njoftuar Elezi.

Gjykata Supreme e Kosovës pati marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë Kosovës në komunën e Dragashit.

Votat nga diaspora për kandidatët për kryetar të Dragashit e kishin përmbysur rezultatin në këtë komunë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe kishte anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të kësaj komune.

 

Vendimi i Supremes: Përsëritje e votimit me postë për kryetar të Dragashit