Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Sot pritet të merret vendimi për mbylljen e shkollave dhe rishikimin e masave për COVID-19

Ministri në detyrë i Arsimit, Ramë Likaj kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe përfaqësues të tjerë të ekzekutivit kanë zhvilluar takim me kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, pas propozimit që shkollat e vendit nga e hëna të shkojnë në pushim një javor pas rritjeve të rasteve me COVID-19.

Kryetari i Këshillit të Prindërve pas takimit ishte shprehur se një vendim i tillë është i papranueshem për ta.

Ndërsa, përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se vendimi për pushimin pranveror do të merret pas mbledhjes së Komitetit Anti COVID-19 i cili do të mbahet në ora 15:00.

Në njoftim thuhet se gjithashtu priten të rishikohen edhe masat në fuqi kundër pandemisë.

Komunikata e plotë e Zyrës së Kryeministrit

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, në takim me Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, Drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani, Ministrin në detyrë të  Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj,  Zëvendësministrin në detyrë të Arsimit dhe Shkencës, Xhavit Rexhaj, përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe të Këshillit të Prindërve, ka analizuar situatën epidemiologjike me pandeminë Covid-19.

 Pas analizës është marrë vendim që sot në orën 15:00 të mblidhet Komiteti Anti Covid -19, ku edhe pritet të merret vendimi për pushimin pranveror në të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë dhe të rishikohen masat në fuqi Anti Covid-19.