ARKIV - Oliver Ivanoviq
Sot pritet të mbahet seanca për vrasjen e Oliver Ivanoviq
Sot pritet të vazhdojë seanca e radhës për rastin e vrasjes së ish politikanit serb Oliver Ivanoviq.
KALLXO.com ka raportuar se në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarëve, pritet të dëgjohen figura të larta politike.
Këtë lajm e ka konfirmuar për KALLXO.com, Musa Damati, avokat i Silvana Arsoviq në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.
“Me datën 6 korrik do të fillojë shqyrtimi kryesor gjyqësor dhe procesi i marrjes në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale, në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq. Në mesin e këtyre dëshmitarëve, do të ketë figura të larta politike”, ka thënë avokati Damati për KALLXO.com.
KALLXO.com pati raportuar se seancat e radhës për vrasjen e Oliver Ivanoviq do të mbahen më 6 dhe 7 korrik 2021.
Për rastin e vrasjes së ish-politikanit Oliver Ivanoviq deri më tani po akuzohen gjashtë persona, ndërsa të përfshirë në këtë rast sipas Prokurorisë janë së paku edhe pesë persona të tjerë të dyshuar.
Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Millan Radoiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit special Sylë Hoxha. Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa reagime për këtë pati reagime edhe nga ish prokurori Hoxha.
Pas heqjes së fletarrestit, Radoiçiq ishte futur në Kosovë.
Prokurori i tanishëm i rastit, Burim Çerkini, pati thënë për KALLXO.com se Millan Radoiçiq është pjesë hetimeve, por se për të nuk ka aktakuzë.
Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.
Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara, Marko Roshiq dhe Silvana Arsoviq, sipas Prokurorisë Speciale kanë vepruar si grup kriminal në bashkëpunim me Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq të cilët gjenden në arrati.
Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedeljko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Nedeljko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e pa autorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.
Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.
Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.
Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i pandehuri Milan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.
E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke ç ‘kyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.
Sipas prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.
Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.
Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.
Caktohen seancat e radhës në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq