Zgjedhjet 2025. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Sot pritet të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë

Nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është paralajmëruar që të martën, më 11.02.2025, do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Se a ka filluar akoma procesi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha shkurt për KALLXO.com “që do të njoftoj gjatë ditës”.

Mbrëmjen e datës 10.02.2025, KQZ njoftoi se gjatë këtij procesi, ashtu siç parashihet edhe me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së 16/2024 për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike. 

Pas përfundimit të të gjitha numërimeve të votave do të shpallet rezultati përfundimtar.

“Pas përfundimit të këtyre procedurave, numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe aspekteve tjera që parashihen me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.” – njoftoi KQZ.

Në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garuan 1.280 kandidatë, nga 28 subjekte politike.

Katër partitë më të mëdha në vend, të cilat njëherësh fituan më shumë vota: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Koalicioni i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)-NISMA-Konservatorët- Intelektualët-Lista Ideal patën nga 110 kandidatë për deputetë.

Ndërsa, Koalicioni për Familjen, parti që nuk e kaloi pragun sipas rezultateve preliminare pati 72 kandidatë për deputetë.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse për deputetë. Prej tyre 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 janë për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, ndërkaq 10 ulëse të tjera janë për pakicat e tjera. Ulëset për komunitetet joshumicë në Kosovë janë të garantuara me Kushtetutë,

Me 99.17% të votave të numëruara, Vetëvendosje renditet e para me 339 mijë e 350 vota, apo 40.83%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.15% të votave, apo 184 mijë e 087 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani, me 17.59%, apo 146 mijë e 241 vota. Koalicioni AAK-NISMA kanë 7.47% të votave, apo 62 mijë e 066.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që u mbajtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.