Shkolla "Selami Hallaqi", Gjilan. FOTO-Facebook

Sot përfundon gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor

Nxënësit e Kosovës do të përfundojnë sot gjysmëvjetorin e parë të vitit shkollor 2020/21.

Ky gjysmëvjetor që u nis me vonesë po ashtu është përfunduar më herët se sa që ishte paraparë sipas planprogramit të vitit shkollor të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Hoti në ditën kur ka marrë vendimin për përfundim të parakohshëm të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021, ka thënë se këto ditë do të kompensohen në pushimin pranveror, që i bie të jetë në muajin prill apo në qershor.

Mes sfidës të infektimeve nga COVID-19, shkollat e Kosovës që nga muaji shtator kanë arritur të mbajnë mësim sipas planeve të hartuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Mësimi filloi sipas tre skenarëve të përgatitur nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Skenari A që është për mësim fizik në shkolla, skenari B mësim i kombinuar dhe skenari C mësim online nga platforma të ndryshme.

Para se të fillonte mësimi, Ministria ishte konsultuar me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të cilët edhe kishin përpiluar një udhëzim se si duhet të mbahet mësimi në kohë pandemie si dhe rregullat se si shkollat duhet të funksionojnë.

Në këtë udhëzim thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë, shkolla duhet të dezinfektohet pas çdo ndërrimi dhe i gjithë personeli duhet të mbajë maskat gjatë gjithë kohës etj.

Por, hapja e shkollave, mirëmbajtja dhe furnizimi i tyre me mjete mbrojtëse gjatë pandemisë, u është lënë në dorën e komunave.

Komunat bazuar në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kanë vendosur nëse do të ndërpritet mësimi apo jo.

Në lidhje me zbatimin e këtyre rekomandimeve, Organizata “Edu Task” në bashkëpunim me BIRN Kosova për 4 muaj ka monitoruar mbi 300 shkolla dhe ka publikuar rezultatet e këtyre monitorimeve.

Të dhënat nga monitorimi tregojnë sfidat e zbatimit të masave kundër COVID-19 në shkolla

Viti shkollor në pandemi, sa u zbatuan masat anti-COVID në shkollat e Kosovës?

.