Foto: Ilustrim

Sot përfundon afati për dërgimin e komenteve ndaj propozimit të ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës

Sot në orën 16:00 mbyllet afati për dhënien e komenteve ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Më 28 janar, ZRrE ka njoftuar se ndaj këtij propozimi kanë dërguar komente Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO. Mirëpo në këtë listë ka munguar Qeveria e Kosovës, e cila ka kohë t’i dërgojë komentet deri sot në orën 16:00.

“Gjithashtu ZRrE është duke pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, të cilat do t’i përmbledhë dhe do t’i publikojë gjatë ditëve në vijim”, thuhet tutje në postimin e ZRrE-së.

Ditë më parë  ZRrE kishte njoftuar se palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre ndaj propozimit të ZRrE-së mund të dërgonin komentet e tyre me shkrim jo më vonë se 28 janar 2022, në ora 18:00.

Mirëpo, më 27janar, ZRrE vendosi që të shtynte për tri ditë afatin për dërgimin e komenteve, saktësisht deri më 31 janar 2022, në orën 16:00.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Rregullatori ka treguar disa shembuj se sa do të rriten tarifat e energjisë elektrike pas aplikimit të kësaj rritje. Konsumatorët që kanë shpenzuar 600 kilovat nuk do të kenë rritje të çmimit, rrjedhimisht do të paguajnë një faturë prej rreth 35.86 euro (niveli i faturës mund të ndryshojë në vartësi të konsumit që bëjnë gjatë natës dhe ditës).

Kurse konsumatorët që shpenzojnë 800 kilovat me rritjen e aplikuar do të kenë një faturë prej 59.50 euro apo 12.31 euro më shumë se fatura që kanë paguar deri më tani. Kurse, konsumatorët që do të konsumojnë 1000 kilovat dhe që deri tash kanë paguar 58.52 euro do të paguajnë 83.14 euro apo një rritje prej 23.6 euro.

Janë afër 200 mijë familje që gjatë sezonit të dimrit preken nga rritja e çmimit të rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Sipas të dhënave të KEDS-it, konsumin prej 600 kWh e tejkalojnë 31% apo 195,300 konsumatorë të amvisërisë gjatë sezonës së dimrit. Ndërsa, 21% të konsumatorëve gjatë sezonës së verës.