Sot nisën shkollën edhe fëmijët e kthyer nga zonat e luftës

Sot, më 2 shtator, ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha shkollat e vendit.

Në bankat shkollore të Kosovës sot kanë nisur mësimet edhe fëmijët e kthyer nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme.

Lajmin e ka bërë të ditur Fatos Makolli, koordinator i luftimit të terrorizimit.

Kosova është vendi që ktheu 74 fëmijë nga zonat e luftës duke u bërë vendi me numrin më të madh të të rikthyerve në rajon.

Sot gjatë ditës edhe ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se fëmijët e kthyer nga zonat e luftës do të integrohen në shkolla.

Ditë më parë, një ekip i BIRN ka qenë pjesë e monitorimit të aktiviteteve që po kryheshin me fëmijët, para se ata të nisin shkollën me 2 shtator.

Takimet janë mbajtur gjatë verës ndërsa janë shoqëruar me përqafime të shumta, lojëra, argëtim, edukim, shoqërim me shokët dhe shoqet.

Të ikur nga zonat dhe kampet e ISIS fëmijët përballen me realitetin e ri të shoqërisë të cilës i përkasin.

Këta fëmijë nuk dinë për emrat dhe dukjen e disa kafshëve, teknologjinë, lodrat. Për ta, informacionet e botës tjetër janë të reja dhe argëtuese.

“Si e ke emrin?- “Drenushë, është kafshë”, iu përgjigja!

“E çka i bie ajo?”, ishte pyetja që njëri nga fëmijët i parashtroi gazetares, derisa tregoi se nuk ka parë asnjëherë ndonjë të tillë.

Këndi i lojërave në Millenium në Ferizaj, kuajt e natyra te Vali Ranch në Gjilan, gjelbërimi në parkun e Gërmisë, janë gjëra të reja, të cilat këta fëmijë nuk i kanë parë asnjëherë në vendin ku ka kaluar më shumë se katër vjet.

Me rekomandim të ekspertëve në parkun e Gërmisë, fëmijët kanë paraqitur në letër dëshirat e tyre përmes vizatimeve.

Vizatimet shpërfaqin preferencat e tyre për të vizatuar armë, tanke por ka edhe të atillë që vizatonin edhe diej.

Nga jashtë mund të vërehen edhe ndikimi i ambientit pas kthimit në Kosovë, vizatime të tjera shfaqin shtëpi, vetura e njerëz të afërt të takuar pas rikthimit.

Tërë procesi i njohjes së fëmijëve me ambientin e jashtëm, zhvillohet nën kujdesin maksimal të policëve civil e aty këtu edhe ndonjë në uniformë, me mjek psikiatër, infermierë e zyrtarë të MPB-së.

Ky program ka paraparë që fëmijët të përfshihen në procesin mësimor, përfshirë shëndetin, shëndetin mendor dhe ri-socializimin.

Sfidë, sipas MPB-së, do të jetë sistemi arsimor në Kosove pasi nuk ka përvoja të tilla të integrimit me të cilat janë përballur vendet e ndryshme të Evropës me valën e refugjateve në vitet e fundit.

Divizioni për riintegrim të personave të radikalizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme përmes projektit të riatdhesimit ka risocializuar dhe përgatitur për shkollë fëmijët kosovarë të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është në proces të regjistrimit të fëmijëve, të cilët kanë nevojë për arsimim e të cilët janë të riatdhesuar nga luftërat e huaja.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vështirësi do të jetë çështja e nënave, të cilat janë në arrest shtëpiak dhe nuk mund t’i shoqërojnë këta fëmijë drejt për në shkollë.

Fëmijët e rikthyer nga Siria takohen me realitetin kosovar

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak. Në këtë grup janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Arijan Kryeziut, Visar Qugovcit dhe Agon Misinit. Me vendimin e kësaj Gjykate tre të dyshuarit do të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim. Masa e njëjtë iu caktua edhe të dyshuarit të katërt R.T., i mitur.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre kanë qenë gra dhe 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës, për tri ditë me radhë apo 72 orë.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

www.kallxo.com