Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sot nis gara për zgjedhjet e 9 shkurtit

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht sot, mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes të cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; dhe të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Procesi i votimit si brenda dhe jashtë vendit pritet të ketë disa ndryshime. Një nga ndryshimet, do të jetë edhe largimi i heshtjes zgjedhore që me ligjin e vjetër ka filluar 24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit.

Ndërsa me Ligjin e ri sipas nenit 37, “heshtja zgjedhore fillon” nga hapja e Qendrave të Votimit në ora 07:00, e deri në mbylljen e tyre në ora 19:00. Përveç kësaj, votuesit kësaj radhe mund të votojnë një deri në dhjetë kandidatë nga lista e subjektit politik.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

Subjektet politike në Kosovë janë pajisur me numra, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar hedhjen e shortit për renditjen në fletëvotime. Numrat e subjekteve politike në fletëvotime janë nga 111 deri në 138.

Përmes shortit në Zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të ketë numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, ndërsa Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore me numër 137.

Numrat e partive politike për Zgjedhjet e 9 shkurtit

KQZ e ka certifikuar më 04.01.2025 listën përfundimtare të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës dhe ka bërë të ditur se 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote në Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Nga këto zgjedhje do të vendoset përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.

Qeveria aktuale e formuar mё 2021 në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.