
Foto: Anibar Media Team
Sot nis festivali i filmit "Anibar", sjell virtualisht në Kosovë emra të mëdhenj të skenës botërore
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit “Anibar” nis sot nga ora 19:45.
Edhe pse këtë vit ka ndryshuar formati i “Anibar”-it, ky edicion përmes platformës online do të shfaqë programin artistik, duke vendosur në fokus punën dhe angazhimin njerëzor.
Programi artistik do të përmbajë filma garues, filma për të drejtat e njeriut, panelet dhe performancat publike, masterklasa, prezantime, filma të metrazhit të gjatë të animuar.
Filmat do të transmetohen përmes plaformës ‘Shift72’ ndërsa prezantimet, panelet, masterklasat do të organizohen online përmes “Zoom” dhe do të shfaqen në rrjete sociale.
Vullnet Sanaja, drejtor i festivalit “Anibar” kishte thënë për KALLXO.com se qëllimi i edicionit të njëmbëdhjetë të festivalit është njohja e kontributit të njerëzve të cilët po angazhohen për njerëzimin dhe Tokën.
Këtë edicion pjesë të prezantimeve do të jenë: David Silverman, Brooke Keesling, Chris Robinson, Blies Brothers dhe Susi Jirkuff.
David Silverman ka një karrierë të gjerë regjisoriale në filma të animuar duke përfshirë filmin “The Simpsons”, “Monster Inc”, “Ice Age”, “Robots”, dhe “Looney Tunes: Back in Action”.
Brooke Keesling ishte drejtoreshë e Zhvillimit të Talentëve të Animacionit në Disney Television Animation, dhe para kësaj ajo ishte menaxhere e Zhvillimit të Talentëve të Animacioneve në Cartoon Network Studios. Ajo ka punuar me efektet vizuale praktike dhe miniaturë në filma të tillë si “Inception”, “Hugo”, “The Dark Knight” dhe “The Aviator”.
Pjesëmarrësi tjetër në këtë edicion është Chris Robinson, skenarist dhe autor kanadez. Ai është drejtor artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit Otava (OIAF). Është shpërblyer me çmimin për kontributin të jashtëzakonshëm për studimet e animacionit nga World Festival of Animation Film (Festivali Botëror i Filmit të Animuar) Animafest Zagreb. Përveç shkrimeve mbi animacionin, Robinson ka shkruar edhe filmin e shkurtër të animuar Lipset Diaries (2010), me regjinë e Theodore Ushev.
Nicolas Blies dhe Stephane Hueber-Blies janë regjisorë dhe skenaristë të filmave që ata konsiderohen si me ndikim shoqëror për shkak të dimensionit aktivist të tyre.
Karrierën e filuan duke bërë regjinë dhe skenarin “La Fabuleuse journée d’Emilie” që ka temë për pedofilinë femërore, me Bernie Bonvoisin, Jean-Claude Dreygus dhe gazetarin Denis Robert.
Susi Jirkuff është artiste që punon kryesisht me vizatime, animacione dhe instalacione. Ajo njihet ndërkombëtarisht me ngjarjet “Populism”, “CAC Vilnius”, “Stedelijk Amsterdam”, “Frankfurter Kunstverein”, “Le Lebt Und Arbeitet in Wien”, “Kunsthalle Ëien”,”Històries Animades – Barcelona, Bilbao”, “Momentary Momentum” etj.
Përmes platformës online do vijnë disa nga filmat më të njohur si “Celica/ The Box”, “Suleima”, “Migrants”, “Racism”, “Women”, “ Machini”, “Esperança”, “All Monsters are Human”, “The Bears’ Famous Invasion of Sicily”, “I’m Not a Robot”, “My Exercise”, “Farse”, “This Is Pig Meat” etj.
Në panelin e “Anibar”-it këtë edicion do jenë figura njerëzore të cilat kanë ndikuar dhe kontribuar në shoqëri si aktivistë, mjeksë, gazetarë, avokues, regjisorë, juristë si Vjosa Osmani, Lendita Zeqiraj, Serbeze Haxhiaj, Lul Raka, Feride Rushiti, Donika Emini, Leonora Kryeziu, Gent Jakupi, Durim Abdullahu, Rijad Mehmeti, Matilda Zizolli, Dafina Zuna Hoxha, Nafi Krasniqi, Arbër Selmani, Amanda Barbour, Fabian Driehorst.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit këtë vit do të mbahet në mënyrë virtuale nga 17 deri me 23 gusht, në të cilin do të shfaqen 139 filma të përzgjedhur, të cilët mund t’i përcillni në platformën online.anibar.org.