Sot nis Epopeja e UÇK-së

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte koncentruar në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që ka ndodhur në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik.

Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit e ka ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore.

Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo ka lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.

Pikërisht sot, më 5 mars u bënë 22 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.

Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mundi frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5, 6, 7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i ka dhënë Kosovës shumë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori./21Media