Sot nis Edicioni i 39 i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare fillon sot edicionin e 39-të. Hapja solemne do të bëhet në Bibliotekën Universitare në Prishtinë.

Ky seminar ka nisur në vitin 1974 në Fakultetin e Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) i Universitetit të Prishtinës.

Profesori Rrahman Paçarizi në një postim në “Facebook” ka shkruar se seminari është institucioni më i rëndësishëm i albanologjisë.

“Ky është institucioni më i rëndësishëm i albanologjisë, që tradicionalisht ka sjellë në Prishtinë (disa vite edhe në Tiranë) studiuesit me eminentë të albanologjisë dhe studentë nga e gjithë bota, të cilët janë lidhur me shqipen dhe gjithë jetën ua kanë kushtuar studimeve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, thuhet në postimin e tij.

Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Këshilli Drejtues i Seminarit në Prishtinë përbëhet nga Prof. dr. Shkumbin Munishi, prof. asoc. dr. Anton Berishaj, prof. asoc. dr. Haki Hysenaj, prof. asoc. dr. Nuran Malta, prof. ass. dr. Nerimane Kamberi, prof. ass. dr. Muhamet Çitaku, Dr. Faton Ismajli.

Seminari do të mbahet nga sot deri me datë 3 shtator 2021 në Prishtinë.