Bruksel - Foto: REL/Shutterstock

Sot në Bruksel takohen grupet punuese për targat nga Kosova dhe Serbia

Grupet punuese nga Kosova dhe Serbia, do të takohen sot në Bruksel për të diskutuar për çështjen e targave të automjeteve. Ende nuk dihet saktësisht se nga kush përbëhet grupi punues i Kosovës që do të zhvillojë bisedime në Bruksel me palën nga Serbia.

Burime brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur për KALLXO.com, se anëtarët e grupit punues do të bëhen publik në një moment të përshtatshëm.

Takimin mes të dyjave palëve e kanë konfirmuar dje nga Bashkimi Evropian.

Nga blloku evropian kanë thënë se grupi punues ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.

Ndërkaq, të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk pritet që këtë muaj të ketë takim mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com për këtë çështje, kryeministri tha se paraprakisht do të ketë takime në nivel kryenegociatorësh para takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes të dy vendeve.

“Nuk besoj që do të ketë takim shumë shpejt, që do të thotë që jo në muajin tetor, ndërmjet meje dhe presidentit të Serbisë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, z. Borrell”, theksoi Kurti.

Pas gati dy javësh bllokim të pikave kufitare Kosovë-Serbi në Bërnjak dhe Jarinje, ishte arritur një marrëveshje në mes palëve rreth çështjes së targave të veturave, dhe sipas kësaj marrëveshjeje, palët brenda periudhës gjashtë mujore duhet të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për përdorimin e targave të automjeteve të të dyja vendeve.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR nga e shtuna më 2 tetor nisi të zëvendësojë Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës dhe qëndroi aty për dy javë pranë pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Po në këtë ditë, u larguan edhe kamionët që kishin bllokuar rrugët dhe qytetarët serbë që protestonin kundër masave të reja të Qeverise së Kosovës, për reciprocitet në aplikimin e targave ndërshtetërore. Ndërkaq nga 4 tetori, filloi përdorimi i stikerave/afisheve në vetura. Më 20 shtator 2021 Kosova filloi reciprocitetin e targave ndaj Serbisë. Ky vendim ngjalli reagimin e serbëve që protestuan duke bllokuar rrugët.