Sot morën vaksinën anti COVID-19 mbi 700 profesionistë shëndetësorë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot janë vaksinuar mbi 700 profesionisë shëndetësorë.

Sipas MSh, vaksinimi do të avzhdojë edhe në ditët në vazhdim me intensitet të shtuar.

“Ekipet e shëndetësore të vaksinimit nga komuna të ndryshme të Kosovës po kryejnë punë të mrekullueshme dhe me profesionalizëm, ndërsa ata po mbështeten nga Komiteti për vaksinim kundër COVID-19, ekipi menaxhues i Qendrës së vaksinimit në “1 Tetori”, UNICEF-i dhe vullnetarët e palodhshëm”, thuhet në publikimin e MSh.

Në Kosovë kanë arritur 24 mijë doza të vakzinës AstaZaneca me 28 mars.

Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqës të programit ndërkombëtar COVAX, kanë për qëllim të shpërndajnë vaksina në vende të varfra.

Nga COVAX-i, në total Kosova do të marrë falas 100.800 doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë AstraZeneca.

Ditëve të fundit, në Kosovë është regjistruar rritje e rasteve me koronavirus. Të dielën, u regjistruan dhjetë viktima dhe 914 raste. Kjo është shifra më e lartë e infektimeve ditore që janë regjistruar më 2021.

Që prej marsit të kaluar, kur u paraqitën rastet e para me COVID-19, Kosova ka regjistruar 87.981 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet.

Plani i vaksinimit

Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Më herët, autoritetet kanë thënë se do të përdorin sallën “1 Tetori” në Prishtinë si qendër të vaksinimit.

Vaksina e AstraZenecas

Kompania farmaceutike AstraZeneca, e ka zhvilluar vaksinën kundër koronavirusit në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit. Vaksina administrohet te personat mbi 18 vjeç dhe jepet përmes dy dozave.

Intervalet ndërmjet dozave variojnë nga katër deri në 12 javë. Disa studime kanë sugjeruar se sa më e gjatë të jetë distanca kohore ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më shumë ka gjasa që vaksina të nxisë imunitet kundër sëmundjes COVID-19.

AstraZeneca ka thënë se efikasiteti i vaksinës së saj në parandalimin e simptomave të COVID-19 është 76 për qind.

Në fillim të marsit, një sërë shtetesh pezulluan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas, për shkak të efekteve anësore. Në disa shtete u raportuan raste të mpiksjes së gjakut, pas administrimit të vaksinës. Por, më 18 mars, Agjencia Evropiane e Barnave tha se kjo vaksinë është e sigurt për përdorim.

Sipas rregullatorit evropian, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet.

Disa shtete evropiane, përfshirë edhe Gjermaninë, janë përballur me refuzim të popullsisë mbi 65 vjeç për ta marrë këtë vaksinë. Kjo për faktin, se gjatë studimeve për zhvillimin e vaksinës së AstraZenecas, nga ky grup shoqëror ka pasur pak pjesëmarrës në studime.

Por, përkundër kësaj, në shkurt, Organizata Botërore e Shëndetësisë, rekomandoi që kjo vaksinë të administrohet edhe për moshat mbi 65 vjeç.

Për dallim nga vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që kërkojnë të ruhen në temperatura ultra të ulëta, vaksina e AstraZenecas mund të ruhet në frigoriferë normalë në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius.