Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Sot mbyllet konkursi për drejtorë të bordeve në shtatë ndërmarrje publike

Sot është dita e fundit për të aplikuar për drejtorë të bordeve në shtatë ndërmarrje publike qendrore.

Konkursi ishte shpallur më 11 shkurt 2022 për drejtorë të bordeve për: Kompaninë Rajonale të Ujitjes Drini i Bardhë, Pejë; Kompaninë Rajonale të  Ujësjellësit  Hidrodrini, Pejë; Kompaninë Rajonale të Ujitjes Radoniqi – Dukagjini, Gjakovë; Kompaninë Rajonale të  Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, Prizren; Kompaninë Rajonale të  Ujësjellësit Bifurkacioni, Ferizaj; Hekurudhat e Kosovës –Train Kos, Kompania për Menaxhimin e Deponive.

Kandidatët për drejtorë në Bordin e Ndërmarrjes Publike duhet të dorëzojnë këto dokumente: CV-në: Letrën e motivimit; Deklaratën nën betim (formular, i cili plotësohet në momentin e dorëzimit të dokumentacionit); Kopjen e letërnjoftimit ose pasaportës (si dëshmi e shtetësisë Kosovare); Certifikatën nga evidenca e personave kundër të cilëve është duku u zhvilluar procedura penale dhe personave të dënuar nga Gjykata;

Dëshmitë për kualifikimet arsimore dhe profesionale (diplomat e fituara jashtë vendit duhet të jenë të nostrifikuara nga MASHTI ose të këtë dëshmi që është në proces të nostrifikimit);

Dëshmi të përvojës së punës në postet menaxheriale (dëshmimi i përvojës së punës bëhet nëpërmjet:

Kontratave apo vërtetimeve të punës të lëshuara nga punëdhënësit mbi marrëdhënien e punës dhe /ose,

Pasqyrave të kontributeve pensionale, ky kriter i fundit nuk kërkohet për përvojat e punës para themelimit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, dhe për ato përvoja kur punëdhënësit nuk kanë qenë të detyruar të paguajnë në këtë institucion).

Aplikuesi duhet të plotësoj personalisht deklaratën nën betim me rastin e aplikimit, në të cilën deklaron se ai/ajo i përmbush kushtet e kualifikimit, pavarësisë dhe të përshtatshmërisë profesionale  sipas  Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin Nr. 04/L-111 dhe Ligjin Nr. 05/L-009. Çdo përgënjeshtrim material, qoftë i qëllimshëm ose nga neglizhenca, ose ndryshim material nga informatat e dhëna në deklaratën e sipërpërmendur, do të rezultojë në diskualifikimin e menjëhershëm.

Dokumentacioni dorëzohet në Sekretariatin Koordinues të Qeverisë, Ndërtesa e Qeverisë, kati i I-rë, në  Sallën Nr. 34  në zarf të mbyllur ku shkruhet emri dhe mbiemri si dhe emri i Ndërmarrjes Publike në të cilën kandidati konkurron.

Sipas konkursit të shpallur, dokumentacioni i dorëzuar nuk kthehet. Origjinalet mund të kërkohen gjatë intervistës.

Tutje thuhet se aplikacionet e pakompletuara nuk do të shqyrtohen.

Afati i konkursit është i hapur 30 ditë nga data e publikimit në  Web faqen e Zyrës së  Kryeministrit  nga data  11 shkurt 2022 deri me 14 mars 2022).

Do të kontaktohen vetëm kandidatët e përzgjedhur për intervistë.

Shpalljen e plotë të konkursit mund ta lexoni në këtë LINK.