Sot mbyllet festivali ‘PrizrenFest’ 

Me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere” dhe koncertin e Bashkim Kërqelit, do të mbyllet sonte në Prizren edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur, “PrizrenFest”. 

Shfaqja “Ëndrra e një nate vere” e Teatrit “Aleksandër Moisiu” nga Durrësi jepet në ora 20:30 në Kino Plato, kurse koncerti – afterparty, Bashkim Kërqeli & bendi i tij, që do të mbyllë edicionin e parë të festivalit “PrizrenFest” mbahet në oborrin e Shtëpisë së Shani Efendisë, pranë Kino Lumbardhit, duke filluar nga ora 21:30. 

Sot, në kuadër të “Prizrenfest”, do të mbahet konferenca “Reprezentimi i barabartë në Teatër – Mundësitë dhe realiteti për aktoret dhe aktorët”. 

Kjo konferencë mbahet në ora 11:00 tek Shtëpia e Shani Efendisë, në Prizren. 

Në program të ditës së sotme është edhe performanca “Liberte” që do të jepet në Abi Çarshi në ora 20:30. 

Festivali “Prizrenfest” ka nisur më 31 korrik dhe deri më tani janë dhënë shfaqje nga Italia, Bosnja dhe Hercegovina, Rumania e Kosova.