Sot mbyllet afati i ankesave për pranimet në konvikte

Qendra Studentore në Prishtinë, dje ka bërë publike listën  e studentëve të pranuar në konvikte për vitin 2019/20.

Afatet për ankesa janë të hapura nga dje( 24 shtator) deri sot(25 shtator) në orën 00:00 përmes sistemit online.

Sipas një njoftimi, gjatë këtij afati kohor për strehim në konvikte dhe për ushqim në mensë kanë aplikuar rreh 6 mijë 500 studentë.

“Kapaciteti për banim në konvikte është rreth 4000 ndërsa për studentët e sektorit privat kapaciteti i shujtave për mensë është 2000”, thuhet në komunikatë

Drejtori për Strehim, Kulturë e Sport Isak Beha tha për KALLXO.com se deri sot kanë pranuar 480 ankesa dhe po presin për të tjera deri sa të mbyllet sistemi.

“Nga ankesat të cilat i kemi pranuar,7 nga këto del se nuk u është vlerësu dokumentacioni’’ tha ai.

Beha kërkoi nga studentet që t’i paraqesin ankesat e tyre deri në mbyllje të afatit të cilat do të verifikohen nga një komision prej 5 anëtarëve që do të fillojnë shqyrtimin menjëherë pas përfundimit.

Një prind, i cili ka dashur të mbetet anonim, tha për KALLXO.com se do të kërkojë arsye pse fëmija i tij nuk ishte në listën e të pranuarve dhe të kuptonte ku qëndronte problemi.

“Erdha me bë ankesën këtu te drejtori,e bonem ankesën online po nuk kam shpresa hiç,nuk po di çka ka me ndodh ja me ndal çiken prej shkollës se 77 kilometra janë shume”, ka thënë ai.

Afati mbyllet sot,kurse ankesat të cilat dërgohen deri në ora 00:00 do të shqyrtohen dhe të publikohen para se të fillojë vendosja e studentëve nëpër konvikte më datën 1 tetor 2019.

Të hënën rezultatet për pranimin e studentëve në konvikte