Foto: Tomë Gashi/Facebook

Sot mbahet një marsh për Astrit Deharin

Sot mbahet një aktivitet simbolik në përkujtim të ish-anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.

Grupi organizativ i marshit “Unë jam Astriti!” ka njoftuar se marshi do të fillojë nga ora 18:00 afër kinemasë “ABC” në Prishtinë, aty ku është ngritur edhe murali përkujtimor për Deharin.

“Do të mblidhemi së bashku në një aktivitet përkujtimor për ta shprehur solidaritetin dhe dhimbjen tonë me familjen Dehari. Derisa familja Dehari do të mbajë një fjalë rasti. Për kujtimin ndaj Astritit, do të mbulojmë rrugëkalimin me qirinj, lule dhe kartolina me mesazhe për familjen e tij”, thuhet në njoftim.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, ka ardhur në përfundim në raportin prej 58 faqesh, se gjasat janë të vogla që Dehari ta ketë vrarë veten në burg.

Aty gjithashtu thuhet se analizat e ADN-së që janë kryer në laboratorin e Institutit zviceran, kanë nxjerrë një profil të ADN-së së të ndjerit, ani pse nga ekspertët kosovarë është thënë se mostra përmban pak ose krejt pak ADN.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet ndër të tjera në raport.

Avokati i familjes, Tomë Gashi, ka thënë se Astrit Dehari është vrarë pasi ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa Prokuroria Themelore në Prizren ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë hetimet lidhur me rastin.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes.

Ai vdiq derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Rasti i anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje është kthyer në rigjykim, por ende nuk është caktuar data.