Foto RTSh

Sot mbahet nata e dytë e Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH

Dhjetë këngëtarë do të prezantohen sonte në natën e dytë të Edicionit të 58-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.

Natën e dytë të Fest 58-të është rezervuar për prezantim të 10 konkurrentëve: Olta Boka me këngën “Botë për dy”; Gena me këngën “Shqiponja e lire”; Uendi Mancaku me këngën “Ende”; Robert Berisha me “Ajo nuk është unë”; Era Rusi me “Eja mere”; Kastro Zizo me “Asaj”, Tiri Gjoci “Me gotën bosh”; Eli Fara dhe Stresi  me “Bohem”; Valon Shehu me “Kutia e pandorës” dhe Arilena Ara me këngën “Shaj”.

Ashtu sikurse natën e parë, edhe i gjithë spektakli i natës të dytë do të rezervojë për publikun surpriza dhe pjesë humoristike.

Nata e parë e Festivalit të 58-të të Këngës në RTSH është mbajtur dje në mbremje me prezantimin e dhjetë konkurrentëve të parë.

Fest 58-të u hap me Bojken Lako me këngën “Malasen”, e më pas në skenë dolën Kanita me këngën “Ankth”, Devis Xherahu me “Bisedoj me serenadën”, Sara Bajraktari me “Ajër”, Genc dhe Nadia Tukiçi me këngën “Ju flet Tirana”, Kamela Islamaj me “Më ngjyros”, Elvana Gjata me“Me Tana”, Aldo Bardhi me “Melodi”, Renis Gjoka me “Loja” dhe Albërie Hadërgjonaj me këngën “Ku ta gjej dikë ta dua”.

Përveç këngëve konkurruese nata e parë e Fest 58-të u përshkua edhe me prezantim të pjesëmarrësve të njohur ndër vite të këtij festivali, e të ftuarve të tjerë, ndërsa i ftuar special i Fest 58, fituesi i Sanremos 2018, Mahmud këndoi këngën ‘Soldi”.