Sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Vendvotimet hapen në ora 7:00.

Zgjedhjet e parakohshme vijnë  si rezultat i vendimit të  Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Qeveria Hoti është Qeveria e parë në Kosovë që bie për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuesja më 21 dhjetor 2021 kishte vendosur për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi.

Sipas vendimit të Kushtetueses vota e deputetit Arifi, e cila ka qenë vendimtare për Qeverinë Hoti, është shpallur e pavlefshme pasi që të njëjtin Gjykata e Apelit e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për veprën penale mashtrim me subvencione.

Qeveria Hoti u votua më 3 qershor 2020 me 61 vota pas arritjes së koalicionit LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe, të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Votimi për formimin e saj u kontestua nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Qeveria Hoti erdhi pas prishjes së koalicionit që kishte me Lëvizjen Vetëvendosje.

Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua nga mocion i mosbesimit i iniciuar nga partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës me 82 vota për, 34 kundër, dhe 1 abstenim.

Qeveria Kurti u rrëzua në ditën e 52-të të qëndrimit në pushtet më 25 maj 2020.

Qeveria Kurti u miratua më 3 shkurt 2020 në Kuvendin e Kosovës, pas më shumë se 100 ditësh negociata LVV-LDK dhe rreth 4 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, të cilat të parën e renditën LVV-në, e të dytën LDK-në.

Zgjedhjet e sotme parlamentare janë të tetat që mbahen në Kosovën e pasluftës.