Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Atdhe Mulla
Sot kryetari i Istogut, Haki Rugova, del para gjyqit
Sot në ora 10:00, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, pritet të dalë para gjyqtarit në Gjykatën të Pejës.
Të premten kryetari i Istogut, Haki Rugova, një drejtor i Komunës dhe një zyrtar tjetër janë arrestuar nën dyshimet për tre vepra penale.
Mbajtjen e seancës për sot e ka konfirmuar mbrojtësi i Haki Rugovës, avokati Besnik Berisha.
“Për ata qe kane interesim, ju njoftoj se seanca dëgjimore tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake është planifikuar të mbahet nesër, në orën 10:00, në Gjykatën Themelore ne Pejë. Nesër kemi shumë për të thënë”, ka shkruar avokati Besnik Berisha.
Haki Rugova që nga arrestimi ka qenë në masën e ndalimit prej 48 orësh.
Në seancën e sotme pritet të kuptohet se çfarë kërkesë për masë të sigurisë do të paraqet prokurorja e rastit, që mund të jetë paraburgimi, arresti shtëpiak apo ndonjë masë tjetër të sigurisë për të siguruar një proces hetimor të drejtë dhe pa pengesa.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Istogut Haki Rugova do të paraqitet në Gjykatë.
Kjo pasi që i njëjti është duke u përballur edhe me një aktakuzë në një proces gjyqësor tjetër, ku akuzohet për konflikt të interesit, pikërisht lidhur me detyrën e tij si kryetar i Komunës së Istogut.
“Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për tenderët që kompania familjare e kryetarit Haki Rugova kishte fituar në Komunën e Istogut, e ku sipas deklarimit të pasurisë, përqindje në kompani kishte edhe vet kryetari Haki Rugova.