Sot janë testuar mbi 100 qytetarë nga Gjilani për COVID-19, asnjë pozitiv

Gjatë ditës së sotme në komunën e Gjilanit janë bërë mbi 100 testime për COVID-19 dhe asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj Komune, Arber Ismajli, për KALLXO.com, i cili shtoi se po ashtu janë shëruar edhe tre persona që ishin me coronavirus.

“Sot në komunën e Gjilanit janë bërë mbi 100 teste dhe fati i mirë është që të gjithë janë negativë. Edhe tre raste që kanë qenë me COVID-19 janë shëruar”, tha Ismajli.

Sipas tij, nga e hëna do të ketë lehtësim të masave në këtë komunë dhe se për masat e reja të Qeverisë pas 4 majit nuk u shpreh i kënaqur.

“Masat do të ndryshohen nga dita e hënë, më vjen keq Qeveria i ka praktikuar disa masa po duhet nesër të mbledhemi me këshillin mengjes dhe mendoj se këto të Qeverisë nuk janë shumë të lehta, duhen më të lehta përpos të kësaj të lëvizjes së lirë”, tha më tej Ismajli.

Komuna e Gjilanit ka 51 persona të prekur me coronavirusin e ri, 26 janë të shëruar dhe dy kanë vdekur. Në hospitalizim janë 3 persona dhe në shtëpi apo vetizolim janë 20 persona.

Kurse, sot në nivel vendi janë shëruar 22 persona të infektuar me coronavirus dhe 7 kanë rezultuar pozitivë.

Deri më tani, janë 806 persona të infektuar me COVID-19, 271 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.