Sot janë testuar 46 punëtorë të KEK-ut për COVID-19

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se sot janë testuar 46 nga 63 punëtorë të KEK-ut, për të cilët dyshohet se kanë pasur kontakt me kolegët e tyre që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Më tej në njoftim thuhet se dy nga 9 punëtorët e KEK-ut që janë shprehur se kanë simptoma më të theksuara, njëri gjendet në spital për trajtim, ndërsa të tjerët gjenden në vetizolim dhe me gjendje të mirë dhe stabile.

KEK po ashtu ka vendosur të ndryshojë orarin e punës në mënyrë që të shmanget lëvizja e punëtorëve që udhëtojnë nga të gjitha vendet e Kosovës.

“Për më tepër, Komiteti i Sigurisë në nivel të Korporatës dhe U.D Kryeshefi Ekzekutiv pas analizimit të situatës ka vendosur të ndryshojë orarin e punës në njësitë prodhuese DPQ, TCA dhe TCB. Si rrjedhojë, tani e tutje në PRODHIM do të punohet me dy ndërrime nga 12 orë, ndërsa në MIRËMBAJTJE do të punohet në GRUPE vetëm në ndërrimin e parë gjithashtu me orar 12 orë, hap ky që do të shmang në masë lëvizjen e punëtorëve të cilët udhëtojnë nga të gjitha trevat e Kosovës”, theksohet në njoftimin e KEK-ut.

Menaxhmenti i KEK-ut bën apel tek të gjithë punëtorët që të jenë vigjilent kudo që ndodhen në respektimin e rekomandimeve të IKSHKP-së, duke mbajtur distancën sociale dhe gjithashtu përdorimin e pajisjeve të nevojshme higjienike.

“Veprime këto të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e pandemisë”, përfundon njoftimi i KEK-ut.