Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com

Sot hyjnë në fuqi masat e reja kundër COVID-19

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër COVID-19 që janë marrë më 30 nëntor nga Qeveria e Kosovës si përpjekje për të shmangur valën e katërt të Coronavirusit, që ka kapluar aktualisht Evropën.

Sipas masave të reja, kushdo që hyn në Kosovë duhet të paraqesë dëshmi të vaksinimit të plotë, teste negative ose dëshmi se është shëruar nga virusi.

Masat, sipas vendimeve të institucioneve do të jenë më të rrepta nga 3 janari.

Nga kjo datë, kushdo që hyn në Kosovë pas kësaj date duhet të sigurojë një certifikatë të plotë vaksinimi, ose dëshmi të një doze të vaksinës së bashku me një test negativ PCR, ose një dozë të vaksinës së bashku me një dëshmi se ka kaluar virusin COVID-19.

Dëshmia e plotë e vaksinimit do të kërkohet gjithashtu për të gjithë ata që përdorin transportin publik, (autobusët apo taksitë) dhe mbajtja e maskave në publik mbetet e detyrueshme.

Qytetarët dhe banorët e Kosovës mund të vaksinohen në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit, dhe në aeroportin Adem Jashari.

Gjithashtu qytetarët mund të vaksinohen edhe në qendrat e rregullta të vaksinimit.